World News

Gjermani: Dy të vrarë, dhjetëra të plagosur pas përplasjes së makinës në një treg Krishtlindjesh

Të paktën dy persona janë vrarë dhe mbi 68 të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.


Raportohet se 15 persona të plagosur janë në gjendje kritike.


Agjencia e lajmeve dpa ka thënë se shoferi i makinës është arrestuar.


Burimet brenda sigurisë i kanë thënë kësaj agjencie se burri i arrestuar nuk ka qenë në radarin e institucioneve për zbatim të ligjit, dhe as nuk është njohur si islamist.


Sipas gjetjeve fillestare, burri dyshohet se është rreth moshës 50-vjeçare dhe është nga Arabia Saudite, dhe besohet se ka shkuar në Gjermani më 2006.




Makina raportohet të ketë depërtuar 400 metra në brendësi të turmës.


Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.


“Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR.


“Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.


Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.


Ai pritet të vizitojë nesër skenën e incidentit.


Dëshmitarët kanë thënë se makina është nisur qëllimshëm drejt turmës së njerëzve.


Shumë forca policore dhe shërbime të emergjencës janë parë në skenën e incidentit.


Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se është “thellësisht i shokuar nga tmerri që ka ndodhur në tregun e Krishtlindjes”.


“Franca ndan dhimbjen me popullin gjerman dhe shpreh solidaritetin e tij të plotë”, ka thënë ai.


Tetë vjet më parë, më 19 dhjetor të vitit 2016, një pjesëtar i grupit terrorist, Shteti Islamik, pati kryer një sulm me kamion, duke e përplasur në një treg Krishtlindjesh në qendër të Berlinit.


Si pasojë e sulmit patën vdekur 12 persona, ndërsa janë plagosur mbi 70 të tjerë.


Sulmuesi pati ikur në Itali, ku ishte identifikuar dhe ishte vrarë nga policia.

Читайте на 123ru.net