World News in Albanian

Trump dhe presidentja meksikane bisedojnë për migracionin

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se ka arritur të ndalë imigrimin ilegal përmes Meksikës. Këto deklarata ai i bëri më 27 nëntor pasi bisedoi me udhëheqësen meksikane. Por, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, sugjeroi se shteti i saj veçse po bën pjesën e vet dhe nuk ka asnjë interes që të mbyllë kufijtë.


Dy udhëheqësit biseduan disa ditë pasi Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa të reja ndaj Kanadasë dhe Meksikës si pjesë e përpjekjeve të tij për të frenuar imigrimin ilegal dhe trafikimin e drogës.


Trump tha se Sheinbaum “është pajtuar të ndalë migracionin përmes Meksikës”. Por, Sheinbaum përmes rrjeteve sociale tha se ajo i ka thënë Trumpit se Meksika veçse “po kujdeset” për karvanët e emigrantëve, duke shtuar se me Trumpin ka zhvilluar “një bisedë të shkëlqyeshme”.


“Ne ritheksuam se qëndrimi i Meksikës nuk është që të mbyllen kufijtë, por të ndërtohen ura mes qeverive dhe mes popujve”, tha Sheinbaum.


Përderisa është e paqartë se cili është qëndrimi i Meksikës sa i përket tarifave të propozuara, Trump shkroi në Truth Social se “kjo po mbyll në mënyrë efektive kufirin tonë jugor”. Ai e cilësoi bisedën me presidenten meksikane si “shumë produktive”.




Sheinbaum shkroi në rrjetet sociale se me Trumpin ka biseduar për “strategjinë e Meksikës sa i përket çështjes së migrimit dhe i thash atij që karvanët nuk po arrijnë në kufirin verior [me SHBA-në] sepse Meksika po kujdeset për ta”.


“Ne po ashtu biseduam për bashkëpunimin në çështjet e sigurisë, brenda kornizës së sovranitetit tonë dhe në kuadër të fushatës që po realizojmë për parandalimin e përdorimit të fentanilit”, tha ajo.


Migrimi i paligjshëm përgjatë kufirit me Meksikën ka rënë pjesërisht për shkak se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka bashkëpunuar me Meksikën për përforcimin e sigurisë.


Arritjet në kufirin SHBA-Meksikë kanë rënë për 40 për qind, nga niveli rekord që u shënua dhjetorin e kaluar. Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të shtuara në anën meksikane.


Të shtyrë nga presioni në rritje nga SHBA-ja për të bllokuar emigrantët që nisen drejt veriut, në vitet e fundit autoritetet meksikane i kanë grumbulluar emigrantët nga mbarë vendi dhe po i kanë dërguar në jug të Meksikës, një strategji që disa ekspertë e kanë parë si përpjekje për të dekurajuar emigrantët, në mënyrë që ata të mos tentojnë të kalojnë për në SHBA.




Asnjëra palë nuk e sqaroi se çfarë qëndrimi është marrë për çështjen e tarifave të përmendura nga Trumpi. Ai tha në fillim të javës se ai do të vendoste 25 për qind taksë në të gjitha produktet që hyjnë në SHBA nga Kanadaja dhe Meksika, duke thënë se ky do të ishte një nga urdhrat e parë të tij ekzekutiv pasi të marrë detyrën më 20 janar. Ai po ashtu ka propozuar 10 për qind taksë për Kinën sa i përket eksportit të materialeve që përdoren për prodhimin e fentanilit.


Fentanili është një opium i rrezikshëm, që ishte krijuar për të trajtuar dhimbje të mëdha që përjetojnë të pacientët, sikurse ata me kancer. Por, kjo substancë përzihet me droga të tjera nga trafikantët.


Ndërkaq, sa i përket tregtisë, deri në shtator SHBA-ja ka importuar mallra nga Meksika në vlerë prej 378.9 miliardë dollarësh, dhe 322.2 miliardë nga Kina dhe 309.2 miliardë dollarë nga Kanadaja.

Читайте на 123ru.net