World News

Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në Kosovë ka nisur fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” dhe gjatë kësaj periudhe, institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile do të organizojnë një sërë aktivitetesh për ndërgjegjësimin kundër dhunës me bazë gjinore.


Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, më 25 nëntor mori pjesë në orën e parë në shkollën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, teksa në të gjitha shkollat në mbarë vendin, ora e parë i është kushtuar ndërgjegjësimit kundër dhunës me bazë gjinore.


Haxhiu u tha nxënësve se dhuna asnjëherë nuk është e pranueshme dhe se ajo nuk duhet të kthehet me dhunë, por ajo duhet raportuar.


“Ministria e Drejtësisë e ka përgjegjësinë që të adresojë politikat për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime të cilat kanë për qëllim që të rehabilitojnë personat të cilët bëjnë veprime të tilla, pra kryejnë dhunë në familje apo janë të dhunshëm në ambientin familjar, sikurse kemi ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim që viktimave t’iu ofrohen shërbime që u nevojiten”, tha Haxhiu.




Ajo tha se shteti ofron ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje, teksa po ashtu ka ndërmarrë hapa për dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe dhunë seksuale. Ata, tha Haxhiu, mund të dënohen me dënim plotësues nga Gjykata që do t’iu pamundësonte punësimin në institucionet shtetërore.


“Dhuna nuk është zgjidhje”, u tha ajo nxënësve.


Sipas të dhënave, nga janari i këtij viti deri në muajin nëntor ishin 2.585 viktima të dhunës në familje. Nga to, 2055 ishin gra dhe 530 burra.


Shumica e viktimave ishin të moshës 30-40 dhe 20-30.


Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.


Fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” nis në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe përfundon më 10 dhjetor, në Ditën e të drejtave të njeriut.



Raporto rastet e dhunës në familje: 0800 19 999
Numri kontaktues i Mbrojtësve të Viktimave: 0800 11 112
Numrat kontaktues të shtëpive të sigurta: 0800 800 01 dhe 0800 21 000
Raporto rastet e dhunës në Policinë e Kosovës: 192

Читайте на 123ru.net