World News

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit sulmohet me mjet shpërthyes

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, të enjten para mesnatës, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.


“Mbrëmë para mesnatës pati një shpërthim që ne dyshojmë se ishte granate dore e llojit M-75”, tha Elshani.


Ky është sulmi i dytë ndaj institucioneve në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe, në dy ditët e fundit, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.




Elshani tha se sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, dhe se policia ka nisur hetimet.


Ai theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.


Komuna e Zveçanit udhëhiqet nga një kryetar shqiptar prej fillimvitit 2023, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill të atij viti.


Të mërkurën, kuvendi komunal i Zveçanit e shënoi 28 Nëntorin - përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë - në një seancë solemne. Kjo është hera e parë që u shënua kjo ngjarje - e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë - në këtë komunë.


Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.


Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.




Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.


Sulmi ndaj ndërtesës së Komunës të mërkurën vjen vetëm dy ditë pasi stacioni policor në këtë qytet verior u sulmua me dy granata dore nga persona të panjohur.


Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit po ndërtohej një nënstacion i ri policor.


Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.


Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.

Читайте на 123ru.net