World News

Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në jug

Banorët e Libanit e kanë të ndaluar të lëvizin në një varg fshatrash dhe në rrethinat e tyre në jug të vendit, deri në një njoftim të radhës, tha të premten zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Avichay Adraee.


Izraeli tha se hapi zjarr të enjten ndaj atyre që i cilësoi si “të dyshuar” që mbërritën me vetura në disa zona në jug, duke theksuar se ata e shkelën armëpushimin mes tij dhe grupit të mbështetur nga Irani, Hezbollah, i cili hyri në fuqi të mërkurën.


Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.


Ligjvënësi nga radhët e Hezbollahut, Hassan Fadlallah, e akuzoi Izraelin për shkeljen e marrëveshjes.




“Armiku ynë, Izraeli, po i sulmon ata që po kthehen në fshatrat kufitarë”, tha Fadlallah për gazetarë, pas një seance parlamentare, duke shtuar se “këto janë shkelje nga ana e Izraelit, edhe në këtë formë”.


Ushtria izraelite tha gjithashtu të enjten se e goditi një ndërtesë të përdorur nga Hezbollahu për ruajtjen e raketave me rreze të mesme në jug të Libanit.


Ky ishte sulmi i parë i tillë prej se armëpushimi hyri në fuqi mëngjesin e së mërkurës.


Në një postim në X të premten, Adraee u bëri thirrje banorëve të Libanit të mos kthehen në më shumë se 60 fshatra në jug, duke thënë se kushdo që lëviz përgjatë vijës së theksuar jugore “e rrezikon vetveten”.


Ushtria e Libanit e akuzoi më herët Izraelin për shkeljen e armëpushimit disa herë të mërkurën dhe të enjten.


Këmbimi i akuzave e vë në pah brishtësinë e këtij armëpushimi, i cili u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca për t’i dhënë fund luftës 14-mujore.


Ky armëpushim do të zgjasë 60 ditë, me shpresën se do të çojë drejt një marrëveshjeje që i jep fund luftës përfundimisht.




Sipas kushteve të armëpushimit, forcat izraelite kanë kohë deri në 60 ditë për t'u tërhequr nga jugu i Libanit, por asnjëra palë nuk lejohet të nisë operacione sulmuese.


Armëpushimi përfshin fillimisht ndaljen e luftimeve për dy muaj dhe kërkon që Hezbollahu t'i largojë trupat e armatosura nga Libani jugor, ndërsa trupat izraelite duhet të kthehen në anën e tyre të kufirit.


Mijëra trupa të tjera libaneze dhe paqeruajtëse të OKB-së do të zhvendosen në jug, ndërsa një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrë zbatimin e këtyre kushteve.

Читайте на 123ru.net