World News

Shembet një ndërtesë në Hagë pas një shpërthimi

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë në rrënojat e një ndërtese trekatëshe banimi në Hagë, që u shemb pas një shpërthimi, që shkaktoi zjarr mëngjesin e 7 dhjetorit.


Shkaku i shpërthimit ende nuk është i qartë, por Policia bëri thirrje për informacione pasi një veturë është parë duke u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pak pas shpërthimit.


Të paktën pesë shtëpi janë shkatërruar nga ky incident, thanë autoritetet, por ende mbetet e paqartë se sa janë të bllokuar nën rrënoja.


Ekipet e emergjencës kanë dërguar në spital katër persona menjëherë pasi u shemb ndërtesa, teksa ekipet e specializuara për shpëtimin e të mbijetuarve nga fatkeqësitë natyrore, nisën kërkimet nën rrënoja.


Shtëllunga të tymit janë parë duke dalë nga një vrimë e madhe që është krijuar në vendin ku gjendej ndërtesa e shembur.


Pasi zjarrfikësit shuan zjarrin, pajisjet e rënda janë përdorur për të pastruar vendin nga rrënojat.


Autoritetet kanë paralajmëruar banorët që të mbajnë të mbyllura dritaret dhe të ndalin sistemet e ventilimit për shkak të tymit.




Hetuesit e forenzikës kanë nisur hetimet për shkakun e mundshëm të zjarrit.


“Pak pas shpërthimit, rreth orës 06:15, një makinë është larguar nga vendi i ngjarjes me shpejtësi të lartë”, tha Policia përmes një deklarate.


“Policia dëshiron të kontaktojë personat që e panë makinën duke u larguar ose me personat që kanë pamje të këtij momenti nga kamerat e sigurisë”.


Në tre katet e ndërtesës kishte dyqane në katin e parë dhe në dy katet kishte pesë banesa, thanë autoritetet.


Spitalet në këtë zonë janë përgatitur për të trajtuar viktimat. Banorët u thanë mediave lokale se në ndërtesën që u shemb jetonin kryesisht të moshuar dhe familje që kanë fëmijë.


Rreth 40 banorë të blloqeve të tjera të ndërtimit, që gjenden afër ndërtesës që u shemb, janë evakuuar.


Kryeministri Dick Schoof, shkroi në X se është “i tronditur nga pamjet e tmerrshme të ndërtesës së shembur në Hagë”.


Ai tha se është në komunikim me autoritetet e qytetit dhe premtoi se Qeveria do të japë ndihmën e nevojshme.

Читайте на 123ru.net