World News

Rusia thotë se Assadi është në Moskë

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, dhe familja e tij kanë arritur në Moskë, raportuan mediat shtetërore ruse, teksa rebelët kanë marrë kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask, duke i dhënë fund sundimit brutal, gjysmëshekullor të familjes Assad.


Ministria e Jashtme e Rusisë tha më herët se Assadi "vendosi të jepte dorëheqje" pas "negociatave" me "një numër të pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur" dhe u largua nga detyra "duke lënë instruksione për transferimin paqësor të pushtetit".


"Rusia nuk mori pjesë në këto negociata", tha ministria.


Kjo deklaratë erdhi, pasi rebelët përmes një deklarate të publikuar në televizionin shtetëror sirian thanë se Damasku "tani është i lirë nga Assadi", familja e të cilit ka sunduar për më shumë se 50 vjet.


Paraprakisht, Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut - organizatë me bazë në Britani - kishte raportuar se Assadi ishte arratisur nga Damasku me një aeroplan mëngjesin e 8 dhjetorit.


Kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.



“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal", tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.




 


Më vonë gjatë 8 dhjetorit ai u pa duke dalë nga shtëpia e tij, i shoqëruar nga persona të armatosur. Ai raportohet se është shoqëruar për në takimin me udhëheqjen e grupit islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që ka udhëhequr ofensivën e fundit.


HTS-ja konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.


Abu Mohammad al-Jolani, udhëheqës i HTS-së, ka tentuar të sigurojë shiitët alavitë dhe minoritetet e tjera siciane, përfshirë të krishterët, pas rrëzimit të Assadit.




Në Uashington, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara "do të angazhohen me të gjitha grupet siriane", teksa shteti kalon në një qeveri post-Assad. 


Ai paralajmëroi se disa grupe rebelësh, që kanë ndihmuar në rrëzimin e Assadit, "kanë të kaluar të errët" sa u përket shkeljeve të të drejtave të njeriut, edhe pse ata ditëve të fundit "kanë folur fjalët e duhura". 


"Teksa ata marrin përgjegjësi më të madhe, ne do të vlerësojmë jo vetëm fjalët e tyre, por edhe veprimet e tyre", tha Biden, gjatë një adresimi nga Shtëpia e Bardhë më 8 dhjetor. 


Ai tha se SHBA-ja do të shikojë nga afër të gjitha aktivitetet e grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), i cili mund të kërkojë që ta shfrytëzojë vakumin e pushtetit në Siri, për të vendosur sërish sundim në këtë shtet. 


Biden tha po ashtu se SHBA-ja ka kryer disa sulme precize ndaj pozcioneve të IS-it në Siri më herët gjatë ditës. 

 


Humbje për Rusinë

Ekspertët thanë se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011.


Instituti për Studim të Luftës, me bazë në SHBA, tha se "forcat e regjimit të Assadit kanë kolapsuar dhe mbështetësit e Assadit duket se nuk kanë vullnet që të mbështesin ushtrinë arabe siriane, duke dislokuar menjëherë forca shtesë".


Rusia ka disa ndërtesa ushtarake në Siri, përfshirë bazën ajrore në Hmeimim dhe një bazë strategjike detare në Tartus, baza që janë përdorur po ashtu për të mbështetur veprimet e Kremlinit në Afrikë.


Sipas agjencisë ruse të lajmeve, RIA Novosti, udhëheqësit e opozitës së armatosur siriane "kanë garantuar sigurinë e bazave ruse dhe institucioneve diplomatike në Siri". Radio Evropa e LIrë nuk ka mundur të konfirmojë këto raportime. 


Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, nuk pranoi të komentonte për fatin e bazave ruse, duke thënë se "nuk është në interesin e askujt që të hamendësojmë".


Instituti për Studim të Luftës tha se Moska ende nuk është evakuuar nga baza, "por mbetet e paqartë nëse Rusia do të mbajë anije në port, teksa rebelët sirianë vazhdojnë të avancojnë me shpejtësi në territoret e mbajtura nga regjimi".




Konstantin Kosachyov, zëvendëskryetar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, tha më 8 tetor se të gjithë sirainët duhet të përballen vet me luftën në shkallë të plotë, por sugjeroi se Moska është e gatshme të mbështesë popullin sirian në rrethana të caktuara.


Ruslan Suleymanov, ekspert rus për Lindjen e Mesme, i tha Radios Evropa e Lirë se Moska do të “bashkëpunojë me rebelët” nëse ata e marrin pushtetin në Damask dhe se HTS-ja po ashtu “ka pretenduar më herët se është e gatshme të negociojë” me Kremlinin.


“Putini dëshiron të shpëtojë praninë e tij ushtarake në rajon. Në çdo rast, për ta bërë këtë, ai duhet të bëjë koncesione, si me xhihadistët ashtu edhe me [presidentin turk, Recep Tayyip] Erdogan, i cili mbështet [rebelët]”, tha ai.




Ofensiva e befasishme nisi më 27 nëntor nga një koalicion i grupeve të rebelëve. Ofensiva u udhëhoq nga HTS-ja.


Përveç HTS-së, në ofensivë u përfshin edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia ka mohuar se ka mbështetur ofensivën, edhe pse ekspertët tkanë thënë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.


Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona.


Assadi ishte varur nga Irani dhe Rusia për të qëndruar në pushtet që kur shpërtheu konflikti më 2011.


Që kur rebelët morën kontrollin e Alepos një javë më parë, ata morën edhe qytete të tjera të mëdha, teksa forcat e Asadit bënë pak rezistencë.


Rajoni dhe bota reagon për zhvillimet në Siri

Zhvillimet në Damask kanë shtyrë fqinjët e Sirisë që të ndërmarrin masa urgjente. Libani ka njoftuar për mbylljen e të gjithë kufijve tokësore me Sirinë, përveç njërit që lidh Bejrutin me Damaskun.


Jordania po ashtu ka mbyllur kufijtë me Sirinë.


Izraeli tha se ka dislokuar trupa në zonën neutrale që gjendet përgjatë kufirit të tij verior me Sirinë dhe ka dërguar trupa “në vende të tjera të nevojshme për mbrojtjen tonë”.


Ushtria izraelite tha se ky dislokim është bërë për të ofruar siguri për banorët në Lartësitë e Golanit, të aneksuara nga Izraeli.


Ministri i Jashtëm i Turqisë, tha se dëshiron të ndihmojë duke ofruar “garanci të sigurisë” në Siri, pas rrëzimit të Assadit.


“Në ditët në vijim, ne do të intensifikojmë punën tonë për këtë çështje me shtetet në rajon dhe me aktorët ndërkombëtar”, tha Hakan Fidan përmes një postimi në X.


Shtetet e Bashkuara thanë se do të mbajnë praninë e tyre në lindje të Sirisë dhe do të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar rishfaqjen e grupit ekstremist, Shteti Islamik në rajon.


Zëvendësndihmës sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Daniel Shapiro, tha se Uashingtoni “është në dijeni për rrethanat kaotike dhe dinamike në terren në Siri që mund t’i japin hapësirë IS-it që të gjejë mënyrë për t’u bërë aktiv dhe të planifikojë sulme të jashtme”.




Duke folur në një konferencë të sigurisë në Bahrejn, Shapiro tha se SHBA-ja është e vendosur që të punojë me partnerët “për të vazhduar që të denigrojë aftësitë e IS-it”.


I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, u kërkoi të gjithë aktorëve në Siri që të mbajnë rendin dhe ligjin dhe të ruajnë institucionet publike.


Ai tha se nuk ka informacione për vendndodhjen e Assadit.


Tom Fletcher, kreu i agjencisë për ndihmë humanitare të OKB-së, paralajmëroi për gjendjen e rëndë të miliona sirianëve të zhvendosur si pasojë e luftës gati 14-vjeçare civile. Shumë të tjerë janë në rrezik, tha Fletcher.


Megjithatë, ai tha se do të ndihmojnë civilët në Siri me furnizime, por edhe me ngritjen e qendrave të pritjes për të zhvendosurit.


Shefja për diplomaci e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shkroi në X se fundi i diktaturës së Assadit është zhvillim pozitiv.


"Po ashtu tregon dobësimin e mbështetësve të Assadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të sigurohemi që rajoni të jetë i sigurt", tha ajo.


Ndërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ndryshimi historik në Siri ofron "mundësi, por nuk vjen pa rreziqe", duke shtuar se Evropa është e gatshme të ndimojë në ruajtjen e unitetit kombëtar dhe rindërtimin e një shteti sirian "që mbron të gjitha minoritetet".


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se "më në fund ka rënë shteti barbar" i Assadit.


Ndërkaq, zëvendëskryeministrja britanike, Angela Rayner, bëri thirrje për “zgjidhje politike”.

Читайте на 123ru.net