World News

KQZ zgjat afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim për zgjedhjet parlamentare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të mërkurën në çastet e fundit se e ka zgjatur për disa orë afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.


Afati do të përfundonte më 11 dhjetor në orën 16:00, por u zgjat deri në orën 23:59 të së njëjtës ditë, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.


Elezi tha se KQZ-ja e mori këtë vendim gjatë mbledhjes së mbajtur sot, dhe e arsyetoi atë duke thënë se disa subjekte politike kanë pasur vështirësi të aplikojnë online.


“Këtë vendim, KQZ e mori... duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështirësi në përdorimin e platformës”, theksoi Elezi.




Më herët gjatë mbledhjes së KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Besnik Buzhala tha se prej datës 1 shtator 2024, deri më tani, aplikimin për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve e kanë përfunduar dhjetë subjekte politike.


Në mesin e atyre që i përmendi nuk ishin asnjëra nga partitë e mëdha në vend.


KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.


Zgjedhjet janë caktuar për datën 9 shkurt të vitit të ardhshëm.


Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.


Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.


Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.


Kjo mundësi u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të jepte dorëheqje apo të shkarkohej. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit.

Читайте на 123ru.net