World News

Austria thotë se po rishikon statusin e refugjatëve sirianë

Austria është duke rishikuar statusin e refugjatëve sirianë që kanë arritur në këtë shtet më pak se pesë vjet më parë, ka bërë të ditur kancelari Karl Nehammer të enjten, pas raportimeve në media se disa kanë pranuar letra se “nuk duhet t’i frikësohen persekutimit politik”.


Nehammer, konservator, i cili po tenton të formojë koalicionin e ri qeveritar, teksa është duke u kritikuar ashpër nga e djathta ekstreme, ka thënë qysh prej rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, më 8 dhjetor, se duhet rivlerësuar situata e sigurisë në Siri, në aspektin nëse duhet lejuar dëbimet atje.




Prej atëherë, ai dhe qeveria  e tij e përkohshme kanë sqaruar se fokusi fillestar do të jetë në dëbimet vullnetare dhe që atyre që dëshirojnë të kthehen në shtëpi vullnetarisht, do t’iu ndahen 1.000 euro.


Austria është në mesin e dhjetëra shteteve evropiane që kanë pezulluar kërkesat e sirianëve për azil.


“Austria është duke rishikuar përshtatshmërinë për mbrojtje të sirianëve që kanë qenë në shtet më pak se pesë vjet”, ka thënë Nehammer përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.


Ligji austriak u mundëson autoriteteve që të revokojnë statusin e refugjatit, në disa raste, brenda pesë vjetëve të miratimit.


Sirianët përbëjnë grupin më të madh të azilkërkuesve në Austri.


Partia Popullore e Nehamerit është e ashpër ndaj imigrimit, në pikën që edhe partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e ka akuzuar për vjedhje idesh.


Partia euroskeptike FPO – e afërt me Rusinë – i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 29 shtatorit, duke fituar rreth 29 për qind të votave, mirëpo duhet të ketë një partnere koalicioni për të siguruar shumicën dhe për të formuar qeverinë.


Meqë asnjë parti nuk ka qenë e gatshme të bashkëpunojë me të, presidenti austriak i ka kërkuar Nehammerit të formojë qeverinë.


Ai është aktualisht në bisedime me Social-Demokratët dhe Neo-liberalët.

Читайте на 123ru.net