World News

Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit godet Tel Avivin

Ushtria e Izraelit ka thënë se një raketë e shkrepur prej territorit të Jemenit e goditi një zonë në Tel Aviv gjatë natës, duke i lënë 16 njerëz të lënduar lehtë.


Sirenat ranë pak para se raketa të godiste rreth orës 4:00 të shtunën, tha ushtria.


Ky sulm ndodhi vetëm dy ditë pasi ushtria izraelite i bombardoi kryeqytetin e Jemenit, Sana, dhe qytetin port Hodieda, të cilat kontrollohen nga rebelët Huthi, duke i vrarë të paktën nëntë njerëz.


Bombardimet izraelite ishin përgjigje ndaj një sulmi që rebelët Huthi e kishin kryer ndaj një shkolle izraelite me një raketë me rreze të gjatë veprimi.




Rebelët Huthi thanë gjithashtu se kryen një sulm me dronë kundër një objektivi të paspecifikuar ushtarak në Izraelin qendror të enjten.


Ushtria izraelite thotë se rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani, i kanë hedhur më shumë se 200 raketa dhe dronë gjatë luftës Izrael-Hamas në Gazë.


Rebelët Huthi gjithashtu i kanë sulmuar anijet e mallrave në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit — dhe janë zotuar se nuk do t’i ndalin sulmet derisa të arrihet një armëpushim në Gazë.


Sulmet izraelite të enjten shkaktuan "dëme të konsiderueshme" në portet e kontrolluara nga Huthi në Detin e Kuq “që do të çojnë në një ulje të menjëhershme dhe të ndjeshme të kapacitetit të portit,” tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric.


Porti në Hodeida ka qenë kyç për furnizimet ushqimore në Jemen gjatë luftës civile dhjetëvjeçare atje.


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se sulmet e të dyja palëve rrezikojnë përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon dhe minojnë përpjekjet e OKB-së për ndërmjetësim.

Читайте на 123ru.net