World News

Spiropali: Kosova prioritet i politikës tonë të jashtme, ajo meriton statusin e vendit kandidat në BE

Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të shtetit të saj, duke shtuar se beson se Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në vizitën e saj të parë në Kosovë që nga formimi i ekzekutivit të ri, Spiropali deklaroi pas takimit me homologun e saj kosovar, Glauk Konjufca, se ky vit duhet të jetë viti i konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë, por e lidhur shumë ngushtësisht me të gjitha zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo nuk është retorikë sovraniteti e as formulë diplomatike, por është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror. Forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë, përveç se është dëshirë e jonë e zemrës”, tha Spiropali.

Sipas saj, siguria e Kosovës është siguri edhe për Shqipërinë, duke premtuar mbështetje për Prishtinën në rrugën e saj evropiane dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë në Këshillin e Evropës.

Teksa i përshkroi si intensive 15 muajt e negociatave për hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE, Spiropali tha se Kosova po ashtu meriton të ketë një rrugë të qartë drejt bllokut.

“Ne besojmë që Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe politika e zgjerimit e BE-së duhet të përdoret si një armë e fuqishme gjeostrategjike e BE-së për të mos lejuar që Ballkani Perëndimor të influencohet nga forca malinje, apo të ndikohet në procese që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit”, tha Spiropali.

Kosova, që ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat, teksa Shqipëria ka përparuar në rrugën evropiane, duke hapur të gjithë kapitujt negociues dhe tani pret që të nisë mbylljen e tyre.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen në shtetndërtim por edhe për përfaqësimin e interesit “të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Sa më i fort që të jetë koordinimi ynë aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt BE-së”, tha ai.

“Serbia të pranojë realitetin”Kryediplomatja shqiptare, Elisa Spiropali, përsëriti qëndrimin se shteti i saj mbështet dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja – dhe tha se epilogu i procesit duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë.

“Njohja reciproke është e vetmja bazë e qëndrueshme për një marrëdhënie të shëndoshë mes dy shteteve dhe në rajonin tonë të lirë nga tensionet e trashëguara. Serbia duhet të pajtohet me këtë realitet, jo si akt presioni, por si hap të domosdoshëm për normalizim të vërtetë”, tha Spiropali, duke shtuar se një marrëveshje përfundimtare do të duhet t’i hapë rrugën Kosovës për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera.

Gjatë konferencës për media, Spiropali foli edhe për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo tha se Shqipëria nuk ndërhyn në drejtësinë ndërkombëtare, por “drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e shkëputur nga çdo lexim kolektiv. Drejtësia nuk mund të ecë me standarde të dyfishta, nuk mund të prodhojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan ligjor, moral dhe historik”.

Në Hagë, ish-eprorët e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, janë përballur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat i kanë mohuar.

Procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së ka përfunduar, dhe tani çështja është në duart e trupit gjykues.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Spiropali do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Më herët gjatë ditës, ajo po ashtu ka vizituar familjen e heroit kombëtar të Kosovës, Adem Jashari, në Prekaz.

Читайте на сайте