World News in Albanian

Kryeprokurori i Beogradit: Së shpejti do të vendoset lidhur me aktakuzën kundër Radoiçiqit

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, Nenad Stefanoviq, tha se në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2025 do të merret vendimi lidhur me ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Millan Radoiçiqit për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.


“Në këtë kuptim, pres bashkëpunim adekuat me EULEX-in”, tha Stefanoviq  në një intervistë për Kosovo Online.


Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.


Ndaj Radoiçiqit dhe një grupi personash, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.




Autoritetet në Serbi po ashtu kanë kryer hetime për këtë sulm, për të cilin Kosova e fajëson Beogradin, por autoritetet atje kanë mohuar përfshirjen në të.


Stefanoiq tha se gjatë hetimit të autoriteteve serbe janë ndërmarrë mbi 40 veprime procedurale.


Ai tha se Radoiçiqi akuzohet nga autoritetet serbe se së bashku me persona të tjerë të panjohur “ka kryer veprat penale: Organizim për kryerjen e veprave penale, prodhim i paligjshëm, mbajtje, bartje dhe trafikim të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike”.


Kryeprokurori serb tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore të Serbisë, “po përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me ngjarjen kritike në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe po kontrollohen pretendimet e të dyshuarit të cilat i ka paraqitur gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë në Beograd”.


“Përveç kësaj, përmes Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Serbisë, Prokuroria e Lartë në Beograd i është drejtuar EULEX-it [Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë të Bashkimit Evropian] dhe ka kërkuar dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që lidhet me ngjarjen kritike të 24 shtatorit 2023 në Banjskë”, shtoi ai.


Ai tha se në këtë drejtim, nga EULEX-i është kërkuar dorëzimi i procesverbalit të hetimeve, foto-dokumentacionit, procesverbaleve të autopsisë për të gjithë viktimat dhe raportet mjekësore të të gjithë të plagosurve.


“Janë kërkuar gjithashtu procesverbalet për ekzaminimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve shpërthyese, si dhe procesverbalet e marrjes në pyetje të të akuzuarve dhe dëshmitarëve”, tha Stefanoviq.




Më herët gjatë këtij viti, autoritetet e Kosovës kishin thënë se kërkesat e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë, janë në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t'i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.


Nga Zyra e BE-së kishin thënë po ashtu se kërkesat e Serbisë për këtë rast, ia kishin përcjellë autoriteteve të Kosovës.


Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë se Serbia po ashtu asnjëherë nuk u është përgjigjur kërkesave të saj për dorëzimin “e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.


Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, përfshirë kundër Radoiçiqit, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre gjenden në Kosovë.




Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.


Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.


Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.


Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Читайте на 123ru.net