World News in Albanian

Vdes gazetari Zijadin Gashi

Zijadin Gashi, gazetar për shumë vite i Radios Evropa e Lirë, ka vdekur të martën në moshën 51-vjeçare.


Ai është përballur në muajt e fundit të jetës me tumor në tru.


Gashi e ka ushtruar profesionin e gazetarit prej vitit 1997, duke mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.


Më herët gjatë vitit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i ka ndarë mirënjohje për kontributin e dhënë në gazetari, para dhe gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 1998-99.


Nga viti 2001 e deri më 2020 ka punuar për Radion Evropa e Lirë - si gazetar dhe një periudhë si shef i byrosë në Prishtinë - për të vazhduar më pas kontributin në media tjera në Kosovë.


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen dhe komunitetin e gazetarëve për vdekjen e Gashit, duke e përshkruar si gazetar të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media.


"Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale”, është thënë në deklaratën e lëshuar nga Presidenca.


Zijadin Gashi e ka përfunduar shkollimin e mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.


Ai ka lënë mbrapa vetes gruan dhe tre fëmijë, si dhe një trashëgimi të vlefshme në gazetari.


Radio Evropa e Lirë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve të tij!

Читайте на 123ru.net