World News in Albanian

Bombardimet izraelite vrasin 28 njerëz në Gazë, thonë zyrtarët shëndetësorë

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë të enjten se sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë të paktën 28 njerëz në Rripin e Gazës, përfshirë shtatë fëmijë dhe një grua, disa orë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e aprovoi një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gazë.


Njëri nga sulmet gjatë mëngjesit të së enjtes e bëri rrafsh me tokën një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat, sipas spitalit Al-Aqas Martyrs, ku u dërguan viktimat.


Dy sulme të tjera ajrore i vranë 15 burra të cilët ishin pjesë e komiteteve lokale ë themeluara për t’i ruajtur kamionët me ndihma. Komitetet ishin themeluar nga palestinezët e zhvendosur në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që udhëhiqet nga Hamasi.


Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.




Ushtria izraelite tha se forcat e saj “kryen sulme precize” gjatë natës ndaj militantëve të armatosur të Hamasit, që ishin të pranishëm në korridorin humanitar në Gazën jugore.


Ajo tha se “të gjithë terroristët që u eliminuan ishin anëtarë të Hamasit dhe synon t’i rrëmbenin dhunshëm kamionët me ndihma”.


Të mërkurën, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së aprovoi rezoluta që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm në Gazë, si dhe shprehin mbështetje për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, të cilën Izraeli e ka ndaluar.


Rezolutat e OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato pasqyrojnë qëndrim ndërkombëtar.




Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.


Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 44.800 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.


Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.

Читайте на 123ru.net