World News in Albanian

Artan Grubi tërhiqet nga politika

Tri ditë pas futjes në listën e zezë amerikane, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar të mërkurën vonë, se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike.



Në një reagim përmes Facebook-ut, Grubi, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.



“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, shkroi Grubi.



Ai theksoi, gjithashtu, se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta” e kanë shtyrë të marrë një vendim të këtillë.



“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.



Ali Ahmeti tha të mërkurën në Shkup se partia e tij nuk ka për qëllim të kontestojë vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit.



Ahmeti e vlerësoi Grubin si një person të “ përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm” dhe shtoi se nuk ka nevojë për përjashtimin e tij nga partia, pasi “ai do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”.



Ndërkohë, Prokuroria Publike në Shkup bëri të ditur të mërkurën se ka nisur një hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit Grubi, njëherazi ish-shef i kabinetit të Ahmetit, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, për dyshime mbi përfshirjen e tyre në “korrupsion të lartë”.






Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).



Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.



Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi për zgjerimin e listës së zezë me persona tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.



Gjatë këtij viti, përveç Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane janë përfshirë edhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski.




Ndërsa, në vitit 2023, SHBA zgjeroi listën e zezë, duke futur në të kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merkon, ish - zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, biznesmenin, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre “në korrupsion të profilit të lartë”.


Po ashtu, në listën e zezë janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, dhe disa figura të tjera.

Читайте на 123ru.net