Nga po shkon LDK-ja?
Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.
Pas rezultatit të dytë më të dobët zgjedhor që nga paslufta dhe përplasjeve të hapura në udhëheqje, Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me pyetje të mëdha për të ardhmen e saj politike. Heshtja e disa figurave kyç, dorëheqjet, dilemat për reformë dhe raporti me pushtetin e ri po e vendosin partinë më të vjetër në Kosovë në një udhëkryq vendimtar.
Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.
Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë më të vjetër në Kosovë, që nga paslufta.
Por, përballë këtij momenti vendimtar për të ardhmen e partisë, Radios Evropa e Lirë (REL) s’i folën shumë nga përfaqësuesit e LDK-së, si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu, Avdullah Hoti, Anton Quni, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Arben Gashi e Agim Veliu.
Për politologun Dritëro Arifi, kjo simbolizon “mbylljen” e LDK-së, që kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve, se ajo mori vetëm 13.23 për qind të votave.
Arifi shpreson që, të paktën, kjo kohë po shfrytëzohet për të menduar për “risitë që duhet të sjellë LDK-ja në strukturat e partisë”.
Për njohësen e zhvillimeve politike, Donika Emini, risia kryesore që i duhet LDK-së është ikja nga një lloj “gjumi letargjik”.
“Prej 2021 deri më 2025, partia nuk ka qenë aktive në mënyrë të qëndrueshme, dhe kjo ka pasur pasoja të dukshme në perceptimin e saj si forcë politike”, thotë Emini për REL-in.
Por, mbrëmjen e së mërkurës u shpërfaqën në Facebook disa mosmarrëveshje nga debati i brendshëm në LDK. Nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, dhe kërkoi që të njëjtën ta bënte edhe kryetari Abdixhiku.
Ky i fundit, duke kërkuar që të tjerët “të sillen pa dramë e pa protagonizëm”, përsëriti se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin për pranimin ose jo të saj do ta marrë Kuvendi i partisë.
LDK-ja përballë dy testeve të paraNjë test i parë për të ardhmen e LDK-së pritet të jetë reformimi ose jo i udhëheqjes së saj.
“Derisa e kemi një kryetar, që thotë: ‘Unë po shkoj; por, nëse ju më besoni, unë mund të vazhdoj’… Kjo tregon që këtu nuk ka qasje [për të ardhmen e partisë]. Këtu ka më shumë interesa personale sesa partiake”, thotë Arifi për REL-in.
Një tjetër moment kyç që mund ta formësojë LDK-në është edhe bashkëpunimi ose jo me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit, që duhet të zgjidhet më 4 mars.
“Hapi më i mençur për LDK-në do të ishte ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos e bllokonte procesin e zgjedhjes së presidentit”, thotë Emini.
Ajo beson se nëse LDK-ja nuk tregohet bashkëpunuese, asaj mund t’i largohen deputetë drejt LVV-së, ose të pësojë rënie edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ku gaboi LDK-ja dhe si mund ta rikthejë besimin e elektoratit?Rezultatet e veta më të mira, LDK-ja i gëzoi në vitet e para të pasluftës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Atëbotë, kjo parti fitonte rreth 45 për qind, por tani ka rënë në rreth 13 për qind.
Për Arifin, sinjale për rënien e LDK-së ka pasur mjaft.
“Këto janë gjëra që partitë nuk duan t’i pranojnë, jo që nuk i dinë”, thotë ai, duke shtuar se rënia e tillë tregon se ka dështuar e gjitha struktura e LDK-së në nivel vendi.
Një nga arsyet pse LDK-ja ka humbur besimin e shumë qytetarëve, thotë Arifi, është se ardhjet e fundit në parti e kanë përmirësuar listën për deputetë, por s’kanë sjellë shumë vota, pasi nuk janë integruar në udhëheqje të partisë.
Për Eminin, gabimi i LDK-së qëndron te “ngrirja në kohë” dhe insistimi në “frymën rugoviane”, ndërkohë që “votuesit kërkojnë zgjidhje të reja dhe përfaqësim të gjeneratave të reja”.
Por, ajo thekson edhe disa përçarje brenda partisë.
“Heqja e Agim Veliut nga lista ishte e kushtueshme politikisht. Veliu përfaqësonte një pjesë më tradicionale të LDK-së, dhe mungesa e tij ndikoi në rezultatin e partisë”, thotë Emini, duke shtuar se, në anën tjetër, njerëzit e rinj s’tërhoqën votat e të rinjve që kërkonin ide të reja.
Ajo shton se me sfida të ngjashme përballet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Si dy partitë kryesore në vitet e para të pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës, tani këto dy parti po e kanë të vështirë të shfaqen si alternative serioze qeverësise ndaj LVV-së.
E, si mund të ndryshojë kjo? Duke u reformuar, thotë Emini.
Si hap i parë, shton ajo, është pranimi i realitetit: LDK-ja radhitet si partia e tretë më e madhe në vend, me vetëm 15 vende të fituara në Kuvend nga gjithsej 120.
Hapat e radhës i theksojnë po aq fuqishëm edhe Emini, edhe Arifi: LDK-ja duhet të bëjë matje e analiza se pse ka humbur, e pastaj të pozicionohet si opozitë sa aktive, po aq edhe konstruktive.
Duke qenë aktive në Kuvend, në raport me mediat, me shoqërinë civile, me pozitën e opozitën, Emini thotë se LDK-ja mund të paraqitet si forcë e madhe politike edhe me numër të vogël deputetësh.
Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).
Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:
Vërshimet në Kosovë: Si të mbrohemi nga përmbytjet?Prapaskenat e tenderit milionësh për nënkalimin e përmbytur në MalishevëPse po ndodh rinumërimi i pjesshëm i votave dhe çfarë mund të pritet?Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.