World News in Albanian

Trumpi ia anulon Kanadasë ftesën për t’iu bashkuar Bordit të Paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ia ka tërhequr Kanadasë ftesën për t’iu bashkuar nismës së tij, Bordi i Paqes, e cila synon zgjidhjen e konflikteve botërore.

Ky vendim i Trumpit erdhi pas fjalimit të kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku ai i kritikoi hapur shtetet e fuqishme, duke thënë se ato i përdorin integrimin ekonomik si armë dhe tarifat si mjet trysnie.

“Ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të njoftuar se Bordi i Paqes po e tërheq ftesën për ju në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë në atë që do të jetë bordi më prestigjioz i udhëheqësve të mbledhur", shkroi Trump të enjten në një postim në Truth Social drejtuar Carneyt.

Javën e kaluar, zyra e Carneyt kishte njoftuar se ai ishte ftuar të shërbente në bord dhe se synonte ta pranonte ftesën.

Carney mori duartrokitje të rralla në Davos pas fjalimit që mbajti, në të cilin u bëri thirrje kombeve të pranonin fundin e një rendi global të bazuar në rregulla.

Kanadaja, e cila së fundmi ka nënshkruar një marrëveshje tregtare me Kinën, mund të tregojë se si “fuqitë e mesme” mund të veprojnë së bashku për ta shmangur viktimizimin nga hegjemonia amerikane, shtoi ai.

Trump u kundërpërgjigj duke thënë se Kanadaja “jeton falë Shteteve të Bashkuara” dhe u tha pjesëmarrësve në Davos se Carney duhet të jetë mirënjohës për bujarinë që SHBA-ja ka treguar deri tani.

“Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua,” shtoi ai, duke iu drejtuar direkt Carneyt.

Tërheqja e ftesës për Kanadanë erdhi disa orë pasi Trump zyrtarisht e themeloi bordin, i cili fillimisht ishte menduar të konsolidonte një armëpushim në Gazë.

Anëtarëve të përhershëm iu kërkohet ta ndihmojnë financimin e bordit me një pagesë prej 1 miliard dollarësh secili, sipas Trumpit.

“Pasi ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë praktikisht çfarë të duam”, tha Trump të enjten në Zvicër. “Dhe do ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara”.

Krijimi i bordit u miratua nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së si pjesë e planit të Trumpit për paqe në Gazë, dhe zëdhënësi i OKB-së, Rolando Gomez, tha të enjten se angazhimi i OKB-së në bord do të jetë vetëm në këtë kontekst.

Vendet anëtare përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, Argjentinën, Bahrejnin, Marokun, Pakistanin dhe Turqinë.

Aleatë të tjerë të SHBA-së, si Britania, Franca dhe Italia, kanë thënë se nuk do t’i bashkohen bordit tani për tani.

Читайте на сайте