Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese dekretin e Osmanit, Presidenca pret vendimin
Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) është ankuar zyrtarisht në Gjykatën Kushtetuese kundër dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa Presidenca njoftoi se po e pret vendimin e gjykatës më të lartë të vendit para se të vendosë të shpallë apo jo datën për zgjedhjet e reja.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi në Facebook të hënën se krahas kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit, i kanë kërkuar Gjykatës ta pezullojë përkohësisht dekretin e presidentes deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.
“Është e qartë se Presidentja e Republikës nuk ka të drejtë diskrecionale për të ndërhyrë në funksionimin e pushtetit legjislativ, e aq më pak për të ndërmarrë veprime që çojnë në shpërndarjen e Kuvendit", shkroi ajo.
Osmani e nxori më 6 mars dekretin për ta shpërndarë Kuvendin, gjë që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Presidentja ende nuk e ka nënshkruar dekretin për datën e zgjedhjeve sepse është në pritje të vendimit të Kushtetueses, tha të hënën këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
"Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme caktimin e një mase të përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa në asnjë moment nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit", tha ai.
Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.
Nagavci argumentoi se roli i presidentit në këtë proces "është strikt i kushtëzuar dhe aktivizohet vetëm në rrethanat e përcaktuara qartë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Më tej, Nagavci shtoi se “përpjekjet për të ushtruar kompetenca që nuk janë të përcaktuara qartë me Kushtetutë jo vetëm që dëmtojnë rendin kushtetues, por rrezikojnë edhe vetë funksionimin demokratik të institucioneve”.
Më herët gjatë ditës së hënë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se organi ligjvënës nuk mund ta vazhdojë punon derisa Kushtetuesja të nxjerrë një vendim.
Partia në pushtet beson që dekreti i Osmanit nuk ka bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin.
Osmani, në anën tjetër, ngul këmbë se afati 60-ditor do të duhej të shfrytëzohej para 5 marsit dhe ajo e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme.
Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.
Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën.
Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Disa juristë kanë interpretuar se Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë më 6 mars se dekreti i Osmanit ishte “jokushtetues”.
Sipas tij, Osmani nuk kishte të drejtë ta shpërndante Kuvendin dhe se deputetët, nga 5 marsi, kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur presidentit.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga LVV-ja kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.
Palët kanë zhvilluar disa runde bisedimesh në javët e fundit, mirëpo nuk kanë arritur pajtueshmëri.
Vetë Osmani e ka synuar edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush. Për LVV-në ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit.