World News in Albanian

Komisionarja Kos shtyn vizitën në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit

Komisonarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka shtyrë vizitën e saj të planifikuar në Kosovë, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian, dhe si arsye janë përmendur zhvillimet e fundit politike në vend.

“Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti, komisionarja Kos i tha atij se do ta shtynte udhëtimin e saj të planifikuar në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit politike”, ka bërë të ditur zyra për media e Komisionit.

Sipas saj, Kos synon të udhëtojë në Prishtinë “në momentin e parë të mundshëm”.

Vizita e zyrtares evropiane ishte bërë e ditur javën e kaluar. Jozyrtarisht dihej se ajo do ta vizitonte Kosovën më 12 mars, dhe kjo do të ishte vizita e saj e parë në Kosovë në cilësinë e Komisionares së Zgjerimit.

Kosova është vendi i vetëm që Kos nuk e ka vizituar ende – e që është në zonën e fushëveprimit të saj - edhe pse e drejton Departamentin e Zgjerimit në Komisionin Evropian që nga dhjetori i vitit 2024.

Në vitin 2025, si mungesë për vizitë ishte përmendur fakti që nuk ekzistonte një bashkëbisedues për shkak të krizës institucionale në Kosovë.

Lajmi për shtyrjen e vizitës së saj në Kosovë vjen një ditë pas Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin, meqë institucioni nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri deri më 5 mars.

Lëvizja Vetëvendosje, parti në pushtet, e ka çuar rastin në Kushtetuese.

Në vendimin e Gjykatës, masa e përkohshme vlen deri më 31 mars dhe deri atëherë, as Osmani nuk mund të shpallë datën e zgjedhjeve, dhe as Kuvendi nuk mund të thërrasë seancën për të vazhduar punën.

Çfarë ndodhi javën e kaluar në Kosovë?Më 6 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se ka lëshuar dekret për shpërndarjen e vendit, meqë, siç tha ajo, përfaqësuesit politikë "vendosën ta çonin vendin në zgjedhje".

Një ditë më parë, më 5 mars, procesi i zgjedhjes së presidentit dështoi për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.

Pasi presidenti nuk u zgjodh, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullonte përkohësisht afatet që lidhen me zgjedhjen e një presidenti të ri të Kosovës.

Menjëherë pasi këtyre zhvillimeve pati interpretime të ndryshme të neneve të Kushtetutës së Kosovës.

Disa njohës të çështjeve ligjore besojnë se Kuvendi duhet të zgjedhë një president brenda 60 ditëve nga fillimi i seancës për të zgjedhur një president.

Megjithatë, Osmani insiston se Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentes aktuale, dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentin e zgjedh Kuvendi. Një kandidat duhet të ketë shumicën prej dy të tretave të votave të deputetëve në Kuvendin me 120 vende, ose të paktën 80 vota.

Nëse asnjë kandidat nuk fiton numrin e kërkuar të votave në dy raundet e para, një shumicë e thjeshtë, ose të paktën 61 vota, është e mjaftueshme në raundin e tretë, me kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh të pranishëm.

Sipas Kushtetutës, nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon në tre raunde, zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Zyrtarët evropianë tashmë kanë shprehur keqardhje për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Читайте на сайте