Gjykata në Ferizaj e dënon me 24 vjet burgim Valon Aliun për vrasjen e ish-bashkëshortes
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim Valon Aliun, pasi e shpalli fajtor të premten për vrasjen e ish-bashkëshortes së vet, Erona Cokli, në vitin 2024.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, e dënoi Aliun veçmas me 22 vjet burgim për vrasje të rëndë, 1 vit për armëmbajtje pa leje dhe 2 vjet për kanosje, por atij iu shqiptua dënimi unik prej 24 vjetësh burgim në bazë të dispozitave ligjore, raporton Betimi për Drejtësi.
Në këtë dënim, atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli i vitit 2024.
Aliu ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit.
Cokli u vra në moshën 21-vjeçare në prill të vitit 2024 në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj (QPS). Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua menjëherë ish-bashkëshorti i saj, me të cilin ajo e kishte një djalë një vjeç e dy muaj.
Çifti ishte i shkurorëzuar për gati një vit dhe Erona e kishte detyrim ligjor ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Në takimin që do të bëhej i fundit për ta në prill 2024, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, 15 vjeç, që e shoqëronte, u plagos.
Gjykata vendosi gjithashtu se Aliu zotëronte pa leje një pistoletë të tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila është konfiskuar në mënyrë të përhershme.
Që nga viti 2010, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra - shumica nga bashkëshortët e tyre.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kritikojnë sistemin e drejtësisë për dënime të lehta të autorëve - gjë që, sipas tyre, i trimëron dorasit.
Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.
Por, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”.