World News in Albanian

Novosibirsk, qyteti më i kufizuar për protesta në Rusi

Disa aktivistë për të drejtat e njeriut, kanë thënë se protestat publike dhe aktivitetet e tjera të ngjashme janë ndaluar në më shumë se gjysmën e territorit të qytetit të tretë më të madh në Rusi, Novosibirsk.


Organizata joqeveritare, OVD-Info, e cila vëzhgon zbatimin e ligjit në Rusi, ka raportuar se në qytetin, Novosibirsk janë ndaluar protestat në pothuajse 56 për qind të hapësirës së këtij qyteti.


Rregulloret e këtij qyteti lidhur me protestat i ndalojnë ata të jenë afër ndërtesave të administratës si dhe objekteve të tjera të ngjashme.


Duke bërë krahasime, OVD-Info, ka raportuar se protestat janë ndaluar në dy për qind të territorit të Moskës, pesë për qind në Shën Petersburg dhe 25 për qind në Yekaterinburg.


Ndonëse Kushtetuta e Rusisë garanton të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore, qeveria kërkon që protestat publike të miratohen paraprakisht nga autoritetet lokale, kërkesë të cilën aktivistët e cilësojnë, si mundësi për të ndaluar organizimet e opozitës.


Rusia aktualisht është në fushatë për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 18 mars.


Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër nga viti 2000, ka gjasa të mëdha të fitojë edhe një tjetër mandat të katërt si president.


 

Читайте на сайте