World News in Albanian

NATO i kërkon shpjegime Rusisë për sistemin raketor

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkoi të mërkurën nga Moska që të dëshmojë se ajo është duke vepruar në përputhje me një marrëveshje për reduktimin e armëve bërthamore, për shkak të shqetësimeve që ka shkaktuar një sistem i ri raketor rus.


Uashingtoni është ankuar për gati dy vjet se sistemi për hedhjen e raketave nga toka, i zhvilluar nga Rusia, shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme, të vitit 1987.


Të martën, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha se nëse është e nevojshme, SHBA do të shqyrtojë shkatërrimin e sistemit rus 9M729.


Stoltenberg tha se marrëveshja e nënshkruar nga presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi i atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbachev, mbetet "gurthemeli i sigurisë evropiane".


"Jemi shumë seriozë në lidhje me shqetësimet tona dhe shumë seriozë kur i bëjmë thirrje Rusisë që të veprojë në përputhje me traktatin në një mënyrë transparente dhe të verifikueshme", tha Stoltenberg, duke shtuar se Moska për kohë të gjatë e ka mohuar edhe ekzistencën e sistemit raketor.


"Tani që e ka pranuar se ekziston, i bëjmë thirrje që t'iu përgjigjet pyetjeve tona", tha Stoltenberg.


Rusia mohon se po shkel traktatin për armët bërthamore.

Читайте на сайте