World News in Albanian

Zarfet nga Serbia raportohet se u shkaktuan alergji punonjësve të KQZ-së

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat e qytetarëve nga Serbia u është shfaqur alergji në duar. Megjithatë, ende nuk është e qartë se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.


Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit votues.


“Është ndërprerë verifikimi i zarfeve (me vota) që kanë ardhur nga Serbia dhe jo nga diaspora”, tha Buzhala.


“ I është shkaktuar (personave që kanë qenë duke verifikuar votat) alergji nëpër duar nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia. Tash janë duke u bërë kontrollet dhe çka del tutje, unë nuk mund ta di”, tha Buzhala.


Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë "posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së".


Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për 3 mijë e 700 zarfe të ardhura nga Serbia. Gjatë procesit të verifikimit, në punë kanë qenë në ndërrimin e parë rreth 25 punëtorë, ku te disa prej tyre është shfaqur një lloj alergjie.


Në KQZ thonë se pasi janë shfaqur shenjat e alergjisë, janë ftuar ekipet shëndetësore dhe ata po merren me rastin.


Pas numërimit të votave të rregullta, tash kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, mbajtura më 6 tetor.


Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Читайте на сайте