World News in Albanian

Sorensen do të pritet nga Kurti nesër në Prishtinë, në prag të fillimit të zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, do të takohet të shtunën në mëngjes me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, dy ditë para se Ligji për të huajt dhe ai për automjetet të fillojë të zbatohet plotësisht.

Zyra e Kurtit njoftoi se kryeministri do ta presë në kryeqytet Sorensenin për një takim në orën 8:30.

Në një njoftim të shkurtër, ajo nuk dha hollësi për vizitën e Sorensenit e as për atë se çfarë do të bisedohet në këtë takim.

Por, Radio Evropa e Lirë mëson jozyrtarisht se arsyeja e vizitës së nesërme është zbatimi i këtyre ligjeve.

Ligjet filluan së zbatuari më 16 janar por vetëm si një fushatë informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të këtyre ligjeve.

Faza e tyre, ajo e zbatimit të plotë të ligjeve, është caktuar të fillojë të hënën më 16 mars.

Sipas këtyre ligjeve, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe për automjetet e kundërshtojnë pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, përfaqësuesit e tyre politikë dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ata argumentojnë se këto masa do të kenë ndikim negativ te komunitetet pakicë, si dhe te sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, që në zonat me shumicë serbe funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.

Ligji për të huajt mund të prekë veçanërisht pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në vend.

Për shembull, në Universitetin në Mitrovicë të Veriut - i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë - punojnë ose studiojnë shtetas të Serbisë, të cilët nga 16 marsi do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si paralele dhe të paligjshme.

Sa i përket zbatimit të plotë të Ligjit për automjetet, për një pjesë të komunitetit serb problem është fakti se, pas heqjes së targave serbe nga përdorimi gjatë viteve 2022-2023, disa prej tyre i kanë riregjistruar automjetet me targa të qyteteve në Serbi dhe i drejtojnë ato në bazë të autorizimeve.

Në këto autorizime gjenden të dhënat e letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh, por deri më tani i ka toleruar.

Zbatimi i plotë i ligjeve për të huajt dhe automjetet në Kosovë është kritikuar ashpër edhe nga Beogradi, i cili i ka përshkruar si “masa diskriminuese”.

Në fund të shkurtit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i tha Sorensenit se zbatimi i rreptë i këtyre ligjeve do të rrezikonte më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Ai vlerësoi se zbatimi i tyre do të çonte në “spastrim administrativ etnik të serbëve”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë më 12 mars se pret ndihmë edhe nga “evropianët” lidhur me zbatimin e plotë të ligjeve për të huajt dhe automjetet, duke shtuar se “jemi në rrugë për të gjetur zgjidhje që nuk do të nënkuptonin katastrofë për popullin serb”.

Një grup studentësh dhe profesorësh në Universitetin e Mitrovicës së Veriut mbajtën disa protesta kundër zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt, duke paralajmëruar se zbatimi i tij do të ndikojë në funksionimin e fakulteteve që punojnë nën sistemin serb.

Zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kanë thënë në disa raste se, përveç zbatimit të Ligjit për të huajt, duhet të punohet edhe për integrimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit serb, sepse “sistemi i dyfishtë nuk është i qëndrueshëm”.

Читайте на сайте