Tregtarët në veri mbyllin dyqanet
Furrat e bukës dhe shitoret në Mitrovicën Veriore janë mbyllur, të hënën, më 1 korrik. Në shenjë solidariteti, nuk po punojnë as objektet hoteliere, kafenetë, pompat e derivateve e as taksistët.
Shtatë muaj që nga vënia e taksës prej 1000 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga Qeveria e Kosovës, në Mitrovicën Veriore thonë se nuk ka më mall për shitje, veçanërisht: produkte të qumështit, miell, vaj dhe të tjera.
Autoritetet e Serbisë, më herët, në disa raste, kanë theksuar se veriu i Kosovës “po kërcënohet nga katastrofa humanitare”, ndërkohë që Prishtina zyrtare ka theksuar që bëhet fjalë për “krizë të inskenuar nga afaristët në veri të Kosovës, në bashkëpunim me Beogradin zyrtar”.