World News in Albanian

Partia Socialiste fiton të gjitha bashkitë e Shqipërisë

Partia Socialiste në Shqipëri fitoi 61 bashkitë e këtij vendi në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat u mbajtën pa opozitën.


Në 31 nga 61 bashkitë, Partia Socialiste ka qenë pa asnjë kundër-kandidat, ndërsa në 30 të tjerat kanë garuar kandidatë të pavarur apo kandidatë të partive të vogla.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në votime në të gjithë Shqipërinë ishte 21.6%.


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili i ka anuluar zgjedhjet e së dielës përmes shfuqizimit të dekretit të mëparshëm për këtë ditë, ka caktuar një datë të re të zgjedhjeve lokale në vend.


Ai ka dekretuar 13 tetorin si ditë kur qytetarët e Shqipërisë do të votojnë për kryetarët e bashkive të tyre.


Meta, të hënën përmes një posimi në Facebook, tha: “Shqipëria shpëtoi nga kurthi i përplasjes civile, ndaj i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët që nuk ranë viktimë e retorikës konfrontuese të liderëve të papërgjegjshëm, që përmes nxitjes së dhunës duan të fshehin skandalet dhe llogaridhënien e tyre”.


Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e mbajtur pas mbylljes së vendvotimeve, e cilësoi 30 qershorin si “moment historik”.


Vlefshmëria kushtetuese e votimeve të ditës së diel, por edhe vendimi i presidentit për t'i anuluar ato do të mund të vërtetohen vetëm pas krijimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë për të cilën të gjithë akterët e përfshirë po bëjnë thirrje që të ndodhë sa më parë.


Shqipëria, tash e sa kohë, është përfshirë nga një krizë politike dhe protesta të opozitës kundër pushtetit.


Për më shumë: Si u zhyt Shqipëria në krizë?

Читайте на сайте