World News in Albanian

Kryeprokurori i Pragës mbështet ndërprerjen e hetimeve kundër Babishit

Kryeprokurori i Pragës e mbështeti një vendim të mëhershëm për të ndërprerë hetimet për mashtrim të dyshuar, kundër kryeministrit të Çekisë, Andrej Babish.


Zyra e Prokurorit të Shtetit në Pragë e dha njoftimin të premten, pasi e rivlerësoi vendimin e mëhershëm të prokurorit të rastit, për t'i ndërprerë hetimet.


Vendimi i fundit, megjithatë, mund të përmbyset nga prokurori i përgjithshëm i vendit.


Policia çeke ka rekomanduar që Babish të përballet me akuza, në lidhje me shpërdorimin e pretenduar të më shumë se 2 milionë dollarëve subvencione të Bashkimit Evropian.


Rasti, i cili ka shkaktuar protestat më të mëdha antiqeveritare në Çeki qysh më 1989 dhe i ka kushtuar kryeministrit me shumicën e tij në Parlament, përfshin një fermë, e cila ka marrë subvencione të BE-së, pasi pronësia e saj është transferuar nga konglomerati i kompanive Agrofert tek anëtarët e familjes së Babishit.


Subvencionet kanë qenë të destinuara për bizneset e mesme dhe të vogla dhe Agrofert nuk ka pasur të drejtë në to.


Babish, i cili po ashtu është subjekt i një hetimi për konflikt interesi, ka mohuar çdo keqbërje.

Читайте на сайте